text
text

Një legjendë është një zhanër i folklorit që përbëhet nga një tregim që paraqet veprime njerëzore, që besohet ose perceptohet se kanë ndodhur në historinë njerëzore. Rrëfimet në këtë zhanër mund të demonstrojnë vlera njerëzore dhe të zotërojnë disa cilësi që i japin përrallës vërtetësi. Legjenda mund të ketë elemente fantastike. Legjendat mund të transformohen me kalimin e kohës për t'i mbajtur ato të freskëta dhe vitale.

LEGJENDA

Legjenda e shqiponjes

Një djalosh kishte dalë për gjah në malet e Shqipërisë. Një shqiponjë fluturoi sipër tij dhe u ndal në majë të një shkrepi. Shqiponja ishte jashtëzakonisht e madhe dhe mbante në kthetra një gjarpër. Pas pak shqiponja fluturoi prej shkrepit ku kishte çerdhen.
Djaloshi u ngjit atëherë në majë te shkrepit dhe gjeti në çerdhe zogun e shqiponjës qe po luante me gjarpënin e mbytur. Por gjarpëri nuk ishte vërtetë i mbytur. Befas ai lëvizi, ngriti kokën, nxori gjuhën dhe u bë gati të kafshojë zogun. Në atë çast djaloshi nxorri harkun dhe e vrau me shigjetë gjarpërin. Pastaj ai mori zogun e shqiponjës dhe u nis për në shtëpi. Befas ai dëgjoi zhurmën e krahëve të shqiponjës.
“Pse ma grabite zogun?” thirri shqipja.
“Zogu është imi, sepse unë e shpëtova nga gjarpëri që ti nuk e kishe mbytur” u përgjegj djaloshi.
“Ma jep zogun tim dhe unë të jap si shpërblim mprehtësinë e syve të mi dhe fuqinë e krahëve të mi. Ti do të jesh i pamposhtur dhe do të quhesh me emrin tim!”
I riu i dha shqiponjës zogun e vet. Kur u rrit zogu, ai i sillej mbi kokë djaloshit, që tani ishte bërë burrë. Me harkun e vet ai mbyti shumë bisha të pyllit dhe me shpatën e vet preu shumë armiq të vendit. Ndër të gjitha këto vepra shqiponja i printe dhe e drejtonte.
I çuditur nga këto gjëra, populli e zgjodhi mbret gjuetarin trim. Ai u quajt Shqiptar, që do me thanë “Bir i Shqipes” dhe mbretëria e tij mori emrin Shqipëri, që do të thotë “Vendi i Shqipeve.”

black and white eagle on gray rock during daytime
black and white eagle on gray rock during daytime

Legjenda e Rozafës
“Krenare ngrihet mbi Bunën e gjerë e mbi qytetin e Shkodrës, kalaja e lashtë e Rozafatit. Kur është vendos guri i parë në themelet e kësaj kështjelle?”.
Legjenda e kalasë së Rozafës, kështjella madhështore e vendosur në Shkodër, është një nga legjendat më interesante dhe më të trishtueshme të vendit.
Flitet për tre vëllezër të martuar me tri gra që jetonin në Shqipërinë e veriut. Të tre vëllezërit punonin ditë e natë për të ndërtuar një kala dhe për të mbrojtur qytetin e tyre, mirëpo sa herë që ata mbaronin punën, muret e kësaj kalaje shembeshin.
Një ditë, një plak u tha atyre se kishte një mënyrë që muret e kësaj kalaje të mos shembeshin më, një flijim dhe kjo kala do të ngritet.
Ky flijim konsistonte në sakrificën e njërës nga gratë, varrosjen e njërës prej tyre në murin e kalasë, cilado që do t’ua dërgojë bukën në mëngjes.
Ky diskutim në mes të vëllezërve dhe plakut do të duhej të mbetej vetëm mes tyre.
“Në shtëpi mos bisedoni për fjalët që do t’ju them unë. Ajo e cila do të vijë nesër, të sjellë mëngjesin, merreni dhe muroseni të gjallë, në murin e kështjellës”, ishin fjalët e plakut sipas legjendës.
Sipas legjendës, të dy vëllezërit më të mëdhenj, u shpjeguan situatën grave të tyre, ndërsa vëllai i vogël mbajti fjalën, dhe nuk e diskutoi këtë me gruan e tij.
E nesërmja erdhi, dhe vëllezërit pritnin të shqetësuar, se kush do të vinte t’ua sillte mëngjesin. Ajo që do të flijohej doli të ishte Rozafa, gruaja e vëllait të vogël, e cila nuk qe në dijeni për asgjë.
“Çekanët ndalën, e s’shkapeten, por zemrat rrahin fort. Fytyrat zbehen, kur sheh vëllai i vogël gruan e tij, hedh çekanin prej dore, mallkon gurin e murin”.
Vëllai i vogël, burri i Rozafës, i tregon asaj për fatin e saj, që duhet flijuar dhe varrosur në muret e kalasë, që kështjella të ngritët.
Sipas legjendës, Rozafa pranoi fatin e saj, por ajo kishte vetëm një dëshirë për djalin e saj.“Unë do të lë një porosi, kur të më murosni në mur, syrin e djathtë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, këmbën e djathtë të ma lini jashtë, gjirin e djathtë të ma lini jashtë, djalin e kam të vogël. Kur të fillojë të qajë, me njërin sy do ta shikojë, me njërën dorë do ta ledhatojë, me njërën këmbë do ta përkundë djepin, dhe më njërin gji do ta ushqejë. Gjiri m’u nguroftë, kështjella qëndroftë, djali im u trimëroftë, u bëftë mbretë e mbretëroftë”, këto janë fjalët e Rozafës sipas legjendës.
Dhe ata e marrin Rozafën e murojnë në themelet e kalasë, muret ngriten dhe nuk shemben më, por gurët janë të lagur, sepse ende pikojnë lotët e nënës për të birin e saj.
Legjenda e Rozafës flet për forcën e grave që të sakrifikojnë jetën e tyre për diçka më të madhe.
Sot, Kalaja e Rozafës është një nga vendet më interesante për të vizituar në Shqipëri, dhe është një gjë që duhet ta shikoni kur kaloni qytetin magjepsës të Shkodrës